Në një paraqitje të veçantë për ‘Inteligjenca n’3D’ që do të transmetohet të mërkurën, psikologia Pranvera Jetishi – Çollaku trajton një nga plagët më shqetësuese shoqërore: bullizmin. Ajo shpjegon pasojat e thella psikologjike që lë kjo dukuri te viktimat, duke theksuar nevojën urgjente për ndërhyrje dhe parandalim.
Duke folur për ndikimin e bullizmit, Jetishi – Çollaku thekson se personat e prekur shfaqin një sërë simptomash të rënda që ndikojnë drejtpërdrejt mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale. Sipas saj, këto pasoja variojnë nga izolimi social dhe humbja e vetëbesimit deri te format më të rënda si ankthi, depresioni dhe mendimet për vetëlëndim.
“Personat që janë pre e bullizimit mund të përjetojnë një simptomatologji si: distancimi nga të tjerët, ndjenja e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit të ulët, frikë, pasiguri, mosmundësi të zgjidhjes së situatave problemore, shenja të shqetësimeve të vazhdueshme: ankthit, depresionit, deri te mendimet negative dhe vetëlëndimi,” shpjegon psikologia Pranvera Jetishi – Çollaku.
Një nga sfidat më të mëdha, sipas psikologes, është heshtja e viktimave. Ajo tregon se, bazuar në përvojën e saj klinike, shumë adoleshentë e vuajnë bullizmin pa e raportuar, duke kërkuar ndihmë vetëm atëherë kur dëmi psikologjik bëhet i papërballueshëm dhe simptomat shfaqen qartë në sjelljen e tyre të përditshme.
“Nga përvoja klinike hasim shumë shpesh klientë, adoleshentë, që kanë përjetuar bullizmin, mirëpo nuk e kanë raportuar me kohë, vetëm në rastin kur simptomatologjia e tyre është bërë e papërballueshme,” tregon ajo.
Psikologia e përkufizon bullizmin si një akt të qëllimshëm dhe të dëmshëm që cenon të drejtat e individit. Duke paralajmëruar se kjo dukuri negative fatkeqësisht është në rritje, ajo bën thirrje për marrjen e masave të duhura për ta parandaluar atë, duke theksuar përgjegjësinë kolektive për të mbrojtur më të cenuarit.