Kompania farmaceutike Pfizer ka njoftuar se ilaçi i saj Padcev, në kombinim me Keytruda të kompanisë Merck, ka përmirësuar ndjeshëm mbijetesën e pacientëve me kancer të fshikëzës që prek shtresën muskulore, kur jepet para dhe pas operacionit, shkruan Inteligjenca n’3D.
Rezultatet e përkohshme nga një studim në fazën e avancuar treguan se terapia e kombinuar ka rritur si kohëzgjatjen e mbijetesës pa rikthim të sëmundjes, ashtu edhe mbijetesën e përgjithshme, krahasuar me trajtimin vetëm me ndërhyrje kirurgjikale.
“Këto rezultate tregojnë potencialin ndryshues të kësaj terapie në fazat e hershme të kancerit të fshikëzës, ku mund të përmirësojë ndjeshëm rezultatet për më shumë pacientë,” tha për Reuters, Johanna Bendell, drejtoreshë e zhvillimit të onkologjisë në Pfizer.
Kanceri i fshikëzës që prek shtresën muskulore është një formë agresive që përbën rreth 25% të rasteve të reja dhe ka rrezik të lartë për t’u përhapur, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit në SHBA.
Pfizer ka bërë të ditur se do të diskutojë rezultatet e studimit me autoritetet shëndetësore në mbarë botën, për mundësinë e aplikimeve rregullatore.
Terapia kombinon një trajtim anti-PD-1, që bllokon proteinën PD-1 për të ndihmuar sistemin imunitar të luftojë kancerin, me Padcev, një antitrup-konjugat që shënjestron qelizat kancerogjene pa dëmtuar ato të shëndetshme.
Padcev, i zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë japoneze Astellas, u miratua nga FDA në vitin 2019 për trajtimin e pacientëve me kancer urotelial metastatik. Në vitin 2024, ky ilaç gjeneroi 1.59 miliardë dollarë të ardhura, që përbëjnë rreth 2% të të ardhurave totale të Pfizer-it. /Inteligjenca n’3D