Gjinekologu Curr Gjocaj, në një ligjëratë për “Inteligjenca n’3D”, sqaroi çfarë ndodh me rezervat vezore të femrës pas moshës 42 vjeçare dhe si ndikon ligji në mundësinë për të kryer IVF-in.
Gjocaj thekson se me kalimin e viteve, tek femrat pakësohet cilësia dhe sasia e qelizave vezore, duke e bërë më të vështirë shtatzëninë. Në këtë fazë, IVF bëhet një mundësi që nuk duhet shtyrë, sepse edhe ligji ka një kufi moshe për procedurat.
“Rezervat e qelizave femërore shkojnë duke u pakësu me kalimin e viteve dhe gjithnjë e më pak do të kemi qeliza, si të thuash, të shëndetshme që të realizohet një shtatzëni normale. Është mirë që ta kenë në konsideratë procedurat e IVF-it para se të arrijnë moshën ku nuk e lejon ligji”, thekson gjinekologu Curr Gjocaj.
Ai sqaron se mosha maksimale e lejuar për IVF në Kosovë është 42 vjeç, ndërsa pas kësaj moshe, procedura mund të realizohet vetëm me leje të veçantë nga një komision i specializuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
“Në vendin tonë aktualisht mosha e lejuar për të realizuar këto procedura është dyzet e dy vjet. Dhe pas kësaj përsëri lejohet, ama duhet të merret një leje e veçantë në një komision profesional që quhet Komisioni për Procedurat e Fertilizimit të Asistuar”, shpjegon ai.
Duke e quajtur këtë kufi një mundësi ligjore që nuk duhet humbur, Gjocaj bën apel që çiftet të veprojnë me kohë dhe të mos e shtyjnë vendimin deri në një fazë kur mund ta kenë të pamundur procedurën.
“Kur një çift veç e ka një moshë afër këtij kufiri, është mirë që pa e kaluar kjo moshë të shfrytëzojnë mundësinë ligjore që të fillojnë këto procedura me kohë, dhe të mos bëhen shkak procedurat që t’ia pamundësojnë një gjë të tillë”, apelon Gjocaj.
Deklaratën e plotë të gjinekologut Curr Gjocaj në Inteligjenca n’3D, e gjeni në videon më poshtë: