Në përditshmëri, rutina na jep ndjesinë e sigurisë, por shpesh bëhet burim i stagnimit. Na mban të ngulur në një realitet të njohur, duke na mbrojtur nga pasiguria, por edhe duke na kufizuar zhvillimin. Një rrëfim i thjeshtë nga filozofia Zen, i njohur si historia e lopës, na fton të mendojmë ndryshe për rehatinë që kemi ndërtuar rreth vetes.
Ky tregim është shumë më tepër se një anekdotë – është një metaforë e fuqishme për varësinë ndaj asaj që na duket e mjaftueshme dhe një thirrje për të guxuar më shumë.
Rrëfimi Zen: Një mësim i heshtur për guximin
Një Mësues Zen dhe dishepulli i tij po udhëtonin nëpër një fshat të varfër. Gjatë rrugës, ata takuan një familje që jetonte në kushte të vështira – me fëmijë të zbathur, shtëpi të rrënuar dhe mungesë e qartë e burimeve ekonomike. Kur Mësuesi e pyeti kryefamiljarin si e përballonin jetesën, ky u përgjigj:
“Kemi një lopë që na jep qumësht. Një pjesë e shesim, pjesën tjetër e konsumojmë. Ajo është gjithçka kemi.”
Pasi u larguan nga shtëpia, Mësuesi i tha dishepullit të gjejë lopën dhe ta shtyjë në greminë. Dishepulli u trondit, por e bindi veten se Mësuesi kishte një arsye më të thellë. Ai e bëri atë që i kërkua – me ndjenjën e fajit që e ndiqte për vite.
Më vonë, dishepulli u kthye në atë vend për të kërkuar falje, por ajo që gjeti ishte e pabesueshme: një shtëpi e re, fëmijë që luanin, mjedis i rregulluar dhe një familje që shkëlqente nga gëzimi. I habitur, ai pyeti çfarë kishte ndodhur. Kryefamiljari u përgjigj me buzëqeshje:
“Kur humbëm lopën, u detyruam të kërkonim mënyra të tjera për të jetuar. Filluam të zhvillojmë aftësi që as nuk e dinim se i kishim. Që nga ai moment, jeta jonë ndryshoi.”
“Lopa” që na mban peng
Në këtë tregim, lopa është simboli i çdo gjëje që na mban në vend: një punë që nuk na përmbush, një marrëdhënie që nuk na rrit, apo një zakon që na jep siguri, por jo zhvillim. Ajo përfaqëson atë që na duket e mjaftueshme, por që në të vërtetë na ndalon të ecim përpara.
Vetëm kur ajo “lopë” largohet – me forcë apo me zgjedhje – ne fillojmë të kërkojmë më shumë nga vetja. Atëherë zbulojmë aftësi të fshehura, ide të reja dhe energji që kishin mbetur të fjetura.
Kur ndryshimi është i dhimbshëm, por i domosdoshëm
Edhe pse vendimi i Mësuesit duket i ashpër, mesazhi është i qartë: nuk ka rritje të vërtetë pa dalje nga zona e rehatisë. Shumë prej nesh i qëndrojmë besnikë zakoneve dhe rrethanave vetëm sepse janë të njohura, jo sepse janë të mira për ne.
Historia Zen na kujton se shpesh na duhet një tronditje, një humbje, një “greminë” për të kuptuar sa shumë potencial kemi në brendësi. Dhe se nganjëherë, ajo që duket si tragjedi është në fakt fillimi i rilindjes. /Inteligjenca n’3D